I kënaqur pas fitores 2-1 ndaj Shakhtar Donetsk me Barcelonën që ruan rekordin perfekt në grupet e Ligës së Kampionëve, trajneri Çavi Hernandez kthen menjëherë vëmendjen nga “El Clasico”. Trajneri katalanas e di se aty skuadra e tij duhet të japë maksimumin për të siguruar suksesin në sfidën e pasionit që ndiqet në mbarë botën.
“Nuk mund të them se jemi të qetë, por kemi bërë progres. Kemi garuar mirë në të tri ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Tani mendojmë si të shkojmë drejt ‘El Clasicos’. Do të arrijmë aty në formën tonë më të mirë. Na duhet të heqim mendjen nga kjo fitore për të pushuar deri nesër. Dhe do të fokusohemi menjëherë tek ‘El Clasico’. Besoj se do të shkojmë mirë në atë sfidë.
Është e vërtetë që kemi lojtarë që kanë luajtur shumë minuta dhe ndiejnë lodhjen, kryesisht edhe për shkak të sfidës së të shtunës së kaluar me Atletik Bilbaon. Pasi ishte ndeshje shumë e vështirë dhe disa lojtarë e ndjenë ndaj Shakhtarit. Por besoj se fizikisht bëmë shumë mirë dhe duhet të përgatisim si duhet El Clasicon“, theksoi tekniku i kampionëve në fuqi të Spanjës.