“Kosova e përcaktuar të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët drejt integrimit euroatlantik”

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë organizuar konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë organizuar konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”, raporton Anadolu.

Qëllimi i kësaj konference është prezantimi i objektivave strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes për të informuar partnerët për planet afatshkurtra dhe afatmesme të FKS-së gjithashtu për të mirëmbajtur dhe forcuar bashkëpunimin bilateral dhe multilateral me vendet partnere për vitet në vazhdim.

Në panelin kryesues morën pjesë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallëjtnant Bashkim Jashari, drejtori i NALT-it, gjeneralbrigade Ralf Peter Hammerstein dhe ambasadorë, atashe të mbrojtjes si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Kosovës.

Ministri Maqedonci tha se Republika e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë të përcaktuar të vazhdojnë dhe rrisin bashkëpunimin me partnerët në forcimin e shtegut drejt integrimit në institucionet euroatlantike dhe në NATO. Ai tha se vitet e fundit Kosova ka bërë arritje të mëdha sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes, derisa foli edhe për synimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës më 24 shtator.

“Duke ju falënderuar Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të jashtëzakonshëm, sinkronizimit të instrumenteve dhe koordinimit të mirë me partnerët, ky sulm flagrant nuk pati sukses. Ne jemi të vetëdijshëm se kërcënimi ende ekziston përderisa Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovën dhe përderisa Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste drejt fqinjëve të saj”, theksoi Maqedonci.

Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı i cili mori pjesë në këtë konferencë, tha se një Kosovë e fortë dhe e pavarur do të forcojë paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin. Angılı tha se Türkiye e ruan angazhimin e saj të fortë ndaj vizionit të Kosovës për integrime euroatlantike dhe e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO si një qëllim strategjik.

“Deri më sot, Türkiye ka dhënë pajisje ushtarake për FSK-në në vlerë prej më shumë se 14 milionë dollarësh amerikan. Çdo vit për afërsisht 60 pjesëtarë të FKS-së kanë marrë trajnime ushtarake në Türkiye dhe më shumë se 400 pjesëtarë të FKS-së, përfshirë mjekët ushtarakë dhe pilotë helikopterësh nga Kosova po ashtu u trajnuan në Türkiye. Po ashtu, qindra personel të FSK-së u trajnuan nga ekipet stërvitore ushtarake turke në Kosovë”, theksoi Angılı.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari tha se zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të FKS-së është një fokuset e tij më të rëndësishme, për të cilën kërkoi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë. Jashari po ashtu foli edhe për sulmin e 24 shtatorit, ku tha se FSK-ja duhet të jetë çdoherë e gatshme të kryej misionin e saj kushtetues dhe ligjorë.

“Rasti i sulmit të fundit si zhvillim i sigurisë në botë, janë tregues i qartë se FSK duhet të jetë çdoherë e gatshme për të kryer misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Si Forcë jemi të përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe po e ndërtojmë Forcën në bashkëpunim me NATO-n dhe vendet partnere”, tha Jashari.

Konferenca “FSK dhe partnerët” mbahet çdo vit në Kosovë me pjesëmarrës nga udhëheqësit institucionalë të Kosovës dhe përfaqësues të huaj.