Spasovski: Po zhvillojmë luftë joselektive ndaj krimit

Policia i ka shpallur luftë pa kriter strukturave kriminale që dikush ka krijuar prej 30 vitesh, potencoi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Sipas tij, të shtënat në “East Gate” janë një përballje kriminale dhe policia e di të kaluarën e personit që u qëllua, por në interes të hetimit, MPB-ja nuk zbulon detaje të reja. Bëri të ditur po ashtu se nuk është cenuar siguria e qytetarëve.

“Vetëm muajin e fundit kemi arrestuar tre persona dhe kjo flet për një nivel të lartë të angazhimit dhe për konfrontim mes atyre grupeve kriminele që për 30 vite dikush i ka krijuar. Tani kemi shpallur luftë joselektive kundër atyre strukturave dhe këtu nuk do të ndalemi. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se siguria e shtetit është më me rëndësi për të gjithë ne. Grumbullimi i informacioneve, i të dhënave, bisedave, për të gjitha këto po punojmë intensivisht, por janë gjëra që nuk mund t’i ndajmë me opinionin.”, – theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Gjatë ditës së sotme u lëshua në përdorim edhe reparti për forenzikë pranë MPB-së. I njëjti është pajisur me teknologji bashkëkohore, e cila do t’u sigurojë analizë të ADN-së, drogës, armatimit, eksplozioneve, zjarreve, që mund t’i bëjnë teknikët e kriminalistikës në kuadër të këtij objekti. I njëjti është ndërtuar me ndihmë të BE-së.

“E tëra kjo është pjesë e reformave që kërkohen nga BE-ja dhe kësaj radhe nuk mundet të komprometohet. Ky projekt është pjesë e ndihmës së madhe financiare, të cilën BE-ja e jep për reformat në sektorin e policisë, që është sektori me detyrat më të rëndësishme që një Qeveri mund t’i ndërmerr në rrugën e saj drejt BE-së.”, – deklaroi shefi i delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir.

Sipas Girit për ndërtimin e këtij objekti BE-ja ka investuar 3,6 milion euro.