“Këto shtete janë SHBA, Franca, Britania, Gjermania dhe Italia. Tre prej këtyre janë trashëgimi e perandorive koloniale më të pamëshirshme të shekullit të fundit. Ndërsa dy të tjerat janë vende që kanë të kaluarën më të keqe të fashizmit”, tha Hamdi
Në mbështetjen e dhënë në mënyrë të hapur të SHBA-së, Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe Italisë ndaj sulmeve të Izraelit që shënjestrojnë civilët në Gaza, thuhet se është efektive e kaluara e tyre koloniale apo fashiste, raporton Anadolu.
Analisti politik tunizian dhe drejtori i përgjithshëm i ‘The International Interest’, Sami Hamdi, duke folur për Anadolu vlerësoi shkeljet e ligjit ndërkombëtar në Gaza nga Izraeli dhe qasjen e vendeve perëndimore.
Hamdi theksoi se SHBA-ja, Franca, Britania, Gjermania dhe Italia ofrojnë mbështetje të hapur ndaj Izraelit pavarësisht shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.
“Këto shtete janë SHBA-ja, Franca, Britania, Gjermania dhe Italia. Tre prej këtyre shteteve (SHBA, Britania dhe Franca) janë trashëgimi e perandorive koloniale më të pamëshirshme të shekullit të fundit. Ndërsa dy të tjerat (Italia dhe Gjermania) janë vende që kanë të kaluarën (historinë) më të keqe të fashizmit në shekullin e fundit. Këtu shohim rezonancën se kanë hyrë me një lloj kujtese muskulore ose me kolonializmin. Për këtë arsye qëndrojnë pranë izraelitëve pa u tronditur aspak”, tha Hamdi.
Ai theksoi se mbështetja e dhënë ndaj Izraelit nga pesë shtetet e mëdha perëndimore është reflektim i racizmit kundër muslimanëve dhe se Perëndimi ka paraqitur plotësisht një standard të dyfishtë në tensionin Palestinë-Izrael.
– “Qëndrimi i Perëndimit është në kundërshtim me vlerat dhe të drejtën ndërkombëtare që ai predikon”
Më tej, Hamdi theksoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, derisa ka qenë shumë e qartë kur ka dënuar krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë, ajo nuk ka treguar të njëjtin reagim ndaj krimeve të kryera kundër palestinezëve. Sipas tij, kjo nuk është një situatë e re e qëndrimit në heshtje e institucioneve Perëndimore ndaj krimeve të luftës kundër palestinezëve.
Ai po ashtu kujtoi se në vendet Perëndimore janë shtypur protestat për solidaritet me popullin e Palestinës
“Britania po shqyrton ndalimin e flamurit palestinez, Franca po përpiqet të ndalojë protestat pro-palestineze ose policia në Romë po përpiqet të pengojë protestat pro-palestineze. Këto ndalesa janë në kundërshtim me vlerat dhe të drejtën ndërkombëtare që predikon Evropa”, tha Hamdi.
Hamdi potencoi se vendet e BE-së dhe SHBA-ja insistojnë fuqishëm në mbështetjen e tyre ndaj Izraelit, pavarësisht se videot po publikohen në mënyrë të hapur për opinionin publik të cilat tregojnë se Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar. Ai shtoi se standardet e dyfishta, hipokrizia dhe pasojat e mundshme politike dhe diplomatike që mund të lindin nga kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet evropiane me jugun global.
– Izraelitët “shprehin” çfarë po ndodh, palestinezët “dëshmojnë” se çfarë po ndodh
Sipas analistit tunizian, institucionet e medias nuk kanë nevojë të tregojnë ndonjë të dhënë mbështetëse kur flasin për krimet e kryera nga palestinezët kundër izraelitëve.
“Me këtë konflikt kemi parë se Perëndimorët kanë vendosur në rrezik etikën e gazetarisë. Izraelitët shprehin çfarë po ndodh, palestinezët dëshmojnë se çfarë po ndodh, por pavarësisht kësaj gazetarët Perëndimor transmetojnë ato që shpreh Izraeli dhe injorojnë provat lidhur me ato çfarë po bën Izraeli”, tha Hamdi.
Duke iu referuar reagimeve ndaj informacionit që gazetari i Anadolu-t siguroi nga zyra e zëdhënësit për media të ushtrisë izraelite për mungesën e informacionit për konfirmimin e pretendimit për “prerje të kokave të foshnjave” nga Hamasi, Hamdi tha se, “Në vend që të ishin të lumtur që një incident i tillë nuk ndodhi, arsyeja e zhgënjimit të tyre ishte se nuk mundën të dëshmonin se palestinezët ishin barbarë. Lajmet që ata bënë ishin të mbushura me racizëm dhe racizëm ndaj jo të bardhëve”.
Sipas tij, pas lajmeve manipulative lidhur me palestinezët qëndron ndjenja anti-muslimane.
“Për Izraelin bëhen lajme pozitive, sepse në nën-ndërgjegjen e këtij mentaliteti qëndron fakti se izraelitët i shohin më afër vetes së tyre në vend të arabo-muslimanëve”, shtoi Hamdi.
Ai kujtoi deklaratën e senatorit republikan amerikan, Lindsey Graham, se “ndodhemi në një luftë fetare”.
“Këto deklarata janë pikërisht deklaratat që shqetësojnë jugun global (Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine). Debati në jugun global është se bota po na thoshte se duhet të mbështesnim Ukrainën, sepse kjo ishte një kauzë e drejtë. Me sa duket, qëllimi i mbrojtjes së Ukrainës nuk paska qenë shpëtimi i rendit global të bazuar në rregulla, sepse rendi global i bazuar në rregulla qartësisht nuk vlen për palestinezët”, tha ai.
– Situata e fundit në sulmet e Izraelit ndaj Gazës
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.
Ushtria izraelite më pas nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Raportohet se 1.400 izraelitë, përfshirë 309 ushtarë humbën jetën, ndërsa 5.132 u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se në sulmet e Izraelit ndaj Gazës janë vrarë 6.546 palestinezë, përfshirë 2.704 fëmijë, 1.584 gra dhe 364 të moshuar, ndërsa janë plagosur 17.439 persona të tjerë.
Po ashtu raportohet se edhe mbi 100 palestinezë janë vrarë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 24 gazetarë, prej të cilëve 20 palestinezë, tre izraelitë dhe një libanez.
Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 43 anëtarë të Hezbollahut, si dhe katër civilë, përfshirë një gazetar.
Në sulmet e kryera nga Libani kanë humbur jetën tre ushtarë izraelitë dhe një civil izraelit.