Takimet e Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel fillojnë nga ora 13:30

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të nisin takimet nga ora 13:30, siç shihet në agjendën e publikuar nga faqja zyrtare e Bashkimit Europian.

Kurti dhe Vuçiq pritet të zhvillojnë takime të shumta me liderë të shteteve anëtare të BE-së në kuadër të samitit të Këshillit Europian. Megjithatë, ata nuk do të kenë një takim të përbashkët

Kështu ka bërë të ditur dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Siç ka raportuar dje Radio Evropa e Lirë, Kurti dhe Vuçiq do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për gjendjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.