Trupat dhe tanket izraelite e kryen një sulm të shkurtër tokësor në veri të Rripit të Gazës gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, njoftoi Ushtria e Izraelit.
Ajo tha se i goditi disa caqe të militantëve në mënyrë që “ta përgatisë fushëbetejën” për pushtimin e pritshëm tokësor të enklavës, pas më shumë së dy javë bombardime shkatërruese.
Sulmi ndodhi një ditë pasi Kombet e Bashkuara paralajmëruan se agjencisë së vet humanitare i është harxhuar pothuajse tërësisht karburanti në Rripin e Gazës, duke e detyruar atë t’i pakësojë tej mase ndihmat në këtë territor, i cili është plotësisht i rrethuar prej se Hamasi kreu sulme të përgjakshme nëpër qytetet e Izraelit jugor në fillim të këtij muaji.
Spitalet në Gazë kanë shumë vështirësi për t’i trajtuar të plagosurit për shkak të mungesës së ilaçeve dhe karburantit. Zyrtarët shëndetësorë thanë se numri i të vdekurve po rritet shpejt, pasi Izraeli s’po i ndal bombardimet. Ekipet e shpëtimit nxorën trupa të vdekur dhe civilë të lënduar, përfshirë shumë fëmijë, nga rrënojat nëpër qytetet e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, tha të mërkurën se më shumë se 750 njerëz u vranë në 24 orët e fundit, ndërsa 704 njerëz u vranë vetëm një ditë më herët.
Numri i të vdekurve i dhënë nga Hamasi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ushtria e Izraelit, e cila e akuzon Hamasin se vepron në mesin e civilëve, tha se gjatë sulmeve u vranë militantët dhe u shkatërruan caqet ushtarake. Militantët e Hamasit kanë shkrepur vazhdimisht raketa nga Gaza në drejtim të Izraelit qëkur nisi konflikti.
Gjatë sulmit të natës mes të mërkurës dhe të enjtes, Ushtria tha se ushtarët i goditën luftëtarët, infrastrukturën ushtarake dhe pozitat nga ku militantët hedhin raketa anti-tanke.
Numri në rritje i të vdekurve në Gazë është i paparë në konfliktin shumëdekadësh mes Izraelit dhe palestinezëve. Madje mund të ketë edhe më shumë humbje jetësh nëse Izraeli e kryen pushtimin e pritur tokësor me qëllim për ta shkatërruar Hamasin, grupin militant që e ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007 dhe i ka mbijetuar katër luftërave të kaluara me Izraelin.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 6.500 palestinezë janë vrarë në këtë luftë. Në këtë shifër përfshihet edhe numri i kontestuar i të vrarëve nga një shpërthim në një spital javën e kaluar.
Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael nga luftimet, kryesisht civilë gjatë sulmit fillestar të Hamasit, sipas Qeverisë së Izraelit.
Hamasi i mban, po ashtu, rreth 222 pengje në Gaza, të cilët i kishte rrëmbyer në jug të Izraelit.
Agjencia e OKB-së, e njohur si UNRWA, që u ofron ndihma civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, paralajmëroi të mërkurën se do të detyrohet ta ndërpresë punën, nëse nuk furnizohet me karburant.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) iu përgjigjën duke i thënë se militantët e Hamasit i kanë më shumë se 500.000 litra karburant në rezervarë brenda Gazës së rrethuar.
“Kërkojani ca Hamasit”, shkroi IDF-ja.
Derisa është lejuar furnizimi i kufizuar me ushqim, ujë dhe ilaçe prej të shtunës së kaluar, asnjë pikë karburant nuk është futur në Gazë deri tani.
Izraeli shqetësohet se karburanti mund të bjerë në duart e militantëve të Hamasit dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, i përshkroi shqetësimet e Izraelit si të arsyeshme.
“Por ne ende besoj, në përgjithësi, se karburanti duhet t’u dërgohet njerëzve në Gazë”, tha Kirby.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se, përveç spitaleve që u detyruan të mbylleshin për shkak të dëmtimit dhe sulmeve, “gjashtë spitale në Rripin e Gazës janë mbyllur tashmë për shkak të mungesës së karburantit”./REL