Ambasadori izraelit lëshoi në seancën e Kombeve të Bashkuara një video, ku shihen militantët e Hamasit duke bërë përpjekje për t’i prerë kokën një burri

Ambasadori izraelit Gilad Erdan ka lëshuar një video në seancën e Kombeve të Bashkuara, të një militanti të Hamasit duke u përpjekur t’i presë kokën një punëtori tajlandez me shat kopshti gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Kështu ai donte të bindte anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme që të mos mbështesin rezolutën jordaneze që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, shkruan The Times of Israel.

Pritet që rezoluta, e cila do të votohet sot, të miratohet. Megjithatë, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë jodetyruese dhe kryesisht simbolike, transmeton Telegrafi.

Teksti bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve civile, mbrojtjen e civilëve dhe institucioneve ndërkombëtare dhe sigurimin e kalimit të sigurt të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Projekt-rezoluta gjithashtu i bën thirrje Izraelit të anulojë urdhrin për evakuimin e palestinezëve nga veriu në jug të Rripit të Gazës. E Izraeli pretendon se direktiva e përmendur synon të mbrojë civilët.

Aty u shfaqen edhe disa fotografi që përfshinin trupat e djegur, një foshnjë të qëlluar në shtrat, civilë të shtrirë të vdekur në vetura dhe në rrugë, dhe një grua me gojë të lidhur e cila ishte djegur për vdekje.

Gjatë fjalimit të tij, Erdan i tregoi Asamblesë së Përgjithshme një video të shkurtër të një militanti të Hamasit duke u përpjekur t’i presë kokën një punëtori tajlandez me një mjet kopshti gjatë sulmit të 7 tetorit.

“Në javët e fundit kam parë shumë imazhe që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time, por është një skenë që vazhdoj ta shoh kur përpiqem të fle. Videoja tregon një civil të plagosur tmerrësisht – i gjakosur por i gjallë, i shtrirë në tokë ndërsa një i egër i Hamasit bërtet Allah Akbar e godet në qafë njeriun me shat kopshti disa herë për t’i prerë kokën”, tha ambasadori izraelit.

“Njeriu në tokë është një punëtor ferme nga Tajlanda. Ai nuk është izraelit. Ai nuk është hebre. Ai thjesht ishte gjallë, duke u përpjekur të siguronte jetesën për familjen e tij. Por koka i ishte prerë me një mjet kopshtarie të mprehtë. E tmerrshme, Izraeli nuk është në luftë me qeniet njerëzore, jemi në luftë me përbindëshat”, shtoi ai. /Telegrafi.