Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ka publikuar një raport prej 212 faqesh duke renditur mijëra emra të atyre që i përshkroi si “vdekje të dokumentuara që nga 7 tetori” në enklavë, të cilat ia atribuoi “agresionit” të ushtrisë izraelite.
Lista, erdhi pasi Presidenti i SHBA Joe Biden komentoi se ai nuk kishte besim në shifrat e viktimave civile të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Izraeli, së bashku me SHBA-në, kanë shprehur dyshime për numrin e viktimave të raportuara nga Gaza, por nuk kanë ofruar asnjë provë se ato janë ekzagjeruar.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, e quajti ministrinë me bazë në Gaza “një front për Hamasin”, por kur u pyet ai nuk mohoi që mijëra palestinezë, shumica prej tyre civilë të pafajshëm, ishin vrarë.
Kryeministri i Autoritetit Palestinez të mbështetur nga SHBA në Bregun Perëndimor, Mohammad Shtayyeh, tha se autoriteti i tij shëndetësor i konsideronte numrat si “të saktë”.
“Ata janë numrat tanë,” tha Shtayyeh në një intervistë të enjten me Al Jazeera. “Këto numra na jepen nga spitalet e Gazës çdo ditë (dhe) të pranuara nga Ministria jonë e Shëndetësisë.”
Raporti vuri në dukje se midis 7-26 tetorit, 7,028 palestinezë u vranë, duke përfshirë 2,913 foshnja. U vranë gjithsej 3129 gra dhe 3899 burra. Numri i personave të paidentifikuar që u vranë ishte 218, por ata nuk ishin përfshirë në numrin përfundimtar të vdekjeve, shtoi raporti.
Raporti përjashton gjithashtu ata që u varrosën pa u sjellë në spital, ata për të cilët spitalet nuk mund të përfundonin procedurat e regjistrimit dhe të zhdukurit, të cilët numërojnë rreth 1,600, ku shumica prej tyre dyshohet se kanë vdekur.
Ministria tha se numri aktual i vdekjeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë sesa thuhet në raport. Lista me 6747 emra, e publikuar nga ministria, jepte gjininë, moshën dhe numrin e kartës së identitetit të secilës prej viktimave. Ajo tha se 281 trupa ende nuk ishin identifikuar. (poltik.mk)