Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dalë në mbështetje kryeministrit Albin Kurti për pranimin e propozimit të ndërmjetësve dje në Bruksel.
Haradinaj tha se pas shumë gabimeve, Kurti dje bëri atë që duhej, sipas tij.
“Dje Kosova ka bërë një hap të madh para. Kryeministri Kurti me pranimin e propozimit të pesëshes për implementim, në këtë rast e ka vendosur Kosovën në pozicion të duhur në këtë kohë pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjes sime, pas zhvillimeve të djeshme, BE-ja duhet t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës menjëherë. Qeveria e Kosovës, kryeministri ka marrë obligim dhe ka shprehur gatishmëri të zbatojë dokumentin që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka bërë vërejtje në dokument, por ka shprehur kërkesa të tjera. Me këtë besoj që BE duhet të na heqë menjëherë sanksionet”, tha Haradinaj në Kuvend.
Ai përmendi edhe deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron që tha se Kosova s’po i mban fjalët.
“Besoj që edhe Macron ndihet mirë, Kosova i ka mbajtur fjalët. Udhërrëfyesi i Ohrit, obligimet e marra janë konfirmuar dje me gatishmërinë për zbatim”. /Express