Mbetet në fuqi masa detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit për ish-kryeministrin Berisha

2 mins read

Në seancën e zhvilluar, ish-kryeministri Berisha nuk ishte i pranishëm, pasi ai ka deklaruar më parë se “Kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit në asnjë lloj forme, pa aprovimin e parlamentit”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, transmeton Anadolu.

Në seancën e zhvilluar sot, ish-kryeministri Berisha nuk ishte i pranishëm, pasi ai ka deklaruar më parë se “Kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit në asnjë lloj forme, pa aprovimin e parlamentit”.

Në një njoftim për mediat të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thuhet se gjykata ka vendosur “vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

Sipas gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) njoftoi më 22 tetor se ndaj Berishës është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndërsa dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, është arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas SPAK-ut, objekti i hetimit për çështjen në fjalë, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani” në Tiranë.

Sipas autoriteteve, nga ana e ish-kryeministrit Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të dhëndrit të tij Malltezi, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha është i shpallur më parë person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Britania e Madhe.

Sali Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë ai njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.