Sindikata e Trepçës kërkon dorëheqjen e kryeshefit, gjendja e minatorëve e rëndë

Sot është dita e tretë që kur kanë hyrë në grevë minatorët e “Trepçës”.

Kjo grevë vjen pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, si realizimi i pagës mujorë me kohë, sigurimi shëndetësor e shkarkimi i Menaxhmentit dhe përmirësimi i kushteve të punës.

Pa u plotësuar këto kushte greva nuk do mbaroj.

Kështu po thotë për Front Online anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Gani Osmani.

Osmani tregon se gjendja e shëndetësore e minatorëve është përkeqësuar.

Ai është ankuar se nuk janë vizituar as nga Qeveria e komuna e tyre.

Osmani ka kërkuar dorëheqjen e kryeshefit për keqmenaxhimit të kësaj ndërmarrjeje.

“Gjendja e minatorëve është shqetësuese, disave po ju ngritët tensioni e disa po alivanosën. Reflektim s’ka as prej Qeverisë, komunës as drejtorisë askush s’po interesohet për minatorët, as me na pa askush nuk ka qenë. Minatorët me dalë të alivanosur nga miniera e të mbyllur në grevë duhet të jap dorëheqje kryeshefi për keqmenaxhim”, u shpreh Osmani.

Ai thotë se kjo situatë do të vazhdojë deri në miratimin e kërkesave.

Osmani thotë se për këtë arsye një grevë ishte mbajtur edhe para disa muajve por pa sukses.

Minatorët kanë shprehur zhgënjim që i pari i shtetit nuk i ka vizituar.

“Minatorët nuk e kanë në mendje të ndërprenë grevën deri të miratohen kërkesat mbi 300 janë në grevë askush në Trepçë nuk është duke punuar. Kjo gjendje nuk është për fajin e minatorëve por fajin e keqmenaxhimit. Ka pasur greva 1,2 ditë e me orë por nuk ka pasur sukses. Ne jemi qytetarë të këtij shteti, Albin Kurti është dashur t’i vizitojë minatorët edhe kryetari i komunës vetëm për t’ia ditur gjendjen e tyre nuk e dimë pse s’janë interesuar, janë të zhgënjyer shumë”, thotë Osmani.

Menaxhmenti i Trepçës ka dalë dje me një reagim ku ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të grevës, duke e quajtur edhe jo ligjore.