Jozyrtare/ Plumbi te shtëpia e Taravarit u vendos nga një person i afërt i tij?

Portali informativ në gjuhën maqedonase, Utrinski Vesnik përmes një shkrimi të publikuar në web faqen e tyre kanë zbuluar detaje që sipas tyre janë ende të pakonfirmuara e që lidhen me plumbin që sot u gjet në oborrin e shtëpisë së kreut të ASH-së.

Sipas tyre, plumbi që u shfaq mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së kryetarit të komunës së Gostivarit dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shumë të ngjarë të lidhet me mikun e tij të ngushtë.

Këto janë të dhënat fillestare jozyrtare të ndara nga burime pranë hetimit.

Nuk dihet ende nëse njeriu i afërt me Taravarin i ka kthyer shpinën brenda natës apo ishte një skenar i parapërgatitur.

Pasi Taravari sulmoi mbrëmë zyrtarë të lartë të Aleancës për Shqiptarët, tensioni në parti sa vjen e shtohet dhe sot media të caktuara tashmë kanë shkruar se të shtunën në Kryesinë Qendrore të Aleancës, kryetari i kësaj organizate, Ziadin Sela mund të iniciojë zëvendësimin e personit të parë të partisë Taravari, e më pas të kërkojë zëvendësimin e ministrave Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti që vijnë nga kjo parti.