Prej nesër 14 punonjës do të fotografojnë qytetarët për pasaporta, nga e hëna ndërrimi i dytë

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për televizionin Telma ka deklaruar se pikat e kontrollit të pasaportave po menaxhohen shumë keq.

Ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të futet edhe puna me dy ndërrime për të takuar qytetarët, përcjell INA.

“Nga e mërkura po rikthejmë sistemin e mirëfunksionimit të kësaj procedure në kuadër të ministrisë. Kjo do të thotë se në vend të metodave populiste, të shpallura fuqishëm, të cilat menaxhohen në mënyrë katastrofike, me katër persona që fotografojnë në 10 stacione bazë, nga e mërkura pika në fjalë do të funksionojë me 14 stacione bazë, me 14 fotografë, njerëz, policë të punësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët vullnetarisht u angazhuan për të ndihmuar Maqedoninë. Për këtë i falënderoj nga zemra dhe për këtë do të shpërblehen në mënyrë të duhur brenda ligjit, me dinjitet dhe jo të ndëshkohen si më parë. Nga e hëna e ardhshme, po prezantojmë ndërrimin e dytë, ku do të punësohen edhe 14 vullnetarë të tjerë nga MPB-ja. Kjo do të thotë se ne fakt do të rrisim kapacitetin e katër stacioneve bazë që fotografojnë dhe sigurojnë lëshimin e mëtutjeshëm të dokumenteve personale në 28 stacione brenda një dite”, tha Toshkovski.(INA)