Rrahje mes stafit në Spitalin e Pejës, prokuroria inicion rastin

Dy punonjës të Spitalit të Pejës janë përfshirë në një përleshje fizike ditën e hënë.

“Dje në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë ka pasur një incident ku kanë qenë të përfshirë dy të punësuar të Institucionit tonë. Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh keqardhjen për rastin që ka ndodhur dhe po ashtu thekson se është në proces të mbledhjes së të dhënave për tu njoftuar për të gjitha detajet. Dje ky proces nuk ka mundur të kryhet sepse dy të punësuarit tonë të përfshirët në këtë rast kanë qenë në organet e hetuesisë dhe ne nuk kemi ende të gjitha informacionet e duhura”, thuhet në njoftim.

Tutje, Spitali i Pejës bën të ditur se pas mbledhjes së informacioneve ky rast do të trajtohet sipas akteve normative në fuqi.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi thotë se tashmë kanë iniciuar rastin si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Po, është iniciuar raste për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ ndaj një personi. Prokurori i shteti do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndriçimin e kësaj çështje penale”, deklaroi Nikçi.

Ndryshe, në rrahje raportohet se janë përfshirë një teknik i IT-së dhe një punonjës i Zyrës Ligjore në Spitalin e Pejës.