Shteti ishullor i Zanzibarit në Oqeanin Indian po përballet me mungesën e alkoolit, gjë që kërcënon sektorin e turizmit të një prej destinacioneve më të njohura të Afrikës, shkruan BBC .
Turizmi përbën rreth 90% të të ardhurave të huaja të arkipelagut të Tanzanisë dhe çmimet e birrës u rritën pothuajse 100% pasi zinxhiri i furnizimit u ndërpre nga një ndryshim i papritur i importuesit.
Ministri i turizmit i Zanzibarit dha dorëheqjen kohët e fundit për kushtet e këqija të punës, por disa e kanë lidhur dorëheqjen e tij me problemet me furnizimin me alkool.
Hotelierët paralajmërojnë se problemet me furnizimin me alkool mund të çojnë në një pengesë për turizmin në Zanzibar, i njohur ndryshe për plazhet me rërë dhe bukuritë natyrore dhe kulturore.
Disa hotele përgjatë plazheve Matemwa në veri të ishullit kryesor të Zanzibarit shërbejnë vetëm pije joalkoolike dhe njerëzit në zonë duhet të shkojnë në kryeqytetin, Stone Town, për të blerë alkool.
Prodhimi lokal i alkoolit është i ndaluar në Zanzibar, popullsia e së cilës është kryesisht myslimane. Shumica e alkoolit të shitur në ishuj vjen nga Tanzania, ndërsa një pjesë importohet nga Afrika e Jugut.
Mungesa filloi në fillim të këtij viti kur organi rregullator, Bordi i Kontrollit të pijeve në Zanzibar (ZLCB), vonoi rinovimin e licencave për tre importues të themeluar, One Stop, Scotch Store dhe ZMMI. Nuk është e qartë pse nuk janë rinovuar licencat e tre kompanive, të cilat kanë furnizuar ishullin me alkool për më shumë se dy dekada.
Që importuesit e alkoolit të licencohen, ata duhet të jenë banorë të Zanzibarit me dokumente të pastra tatimore, automjete magazinimi dhe shpërndarjeje. Për më tepër, importuesit duhet të paguajnë një tarifë vjetore prej 12,000 dollarë amerikanë tek autoriteti rregullator në Zanzibar.