Serbia i frikësohet romanit që dokumenton krimet në Kosovë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, i cili nëpërmjet historive të Ferdonije Qerkezit e Nënë Pashkës dokumenton krimet e Serbisë në Kosovë, flet në disa gjuhë të botës. Është përkthyer edhe në serbisht, por ende nuk ka botues. “Edhe në serbisht romani tingëllon mirë, sepse i bie kambanës së të vërtetës. Kambana bie për ata që kanë veshë. Shpresoj që serbët nuk janë shurdha”, ka thënë Apolloni. Deri më tash botuesit i kanë mbyllur veshët

Është vepër që tashmë flet në disa gjuhë, dhe si roman dokumentar rrëfen tmerrin e dy nënave që kanë humbur fëmijët e tyre në luftën e fundit në Kosovë. Krimet e shtetit serb aty shpërfaqen nëpërmjet dy familjeve nga Komuna e Gjakovës. Por që romani i Ag Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” t’i flasë në serbisht popullit serb për atë që ka ngjarë, del të jetë problem. Botuesit serbë hezitojnë ta botojnë, ani pse tashmë është përkthyer në serbisht nga Shkëlzen Maliqi.

Deri më tash vepra është botuar në anglisht, gjermanisht, holandisht dhe është në proces e sipër për t’u botuar në frëngjisht.

Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se janë angazhuar disa miq dhe kolegë të tij të cilët u kanë shkruar disa botuesve serbë, mirëpo ose janë injoruar, ose kanë marrë përgjigje ironike.

“Si për shembull do të shohim nëse kemi vend më 2025, ose kanë kërkuar në mirëbesim t’i kuptojmë pse s’mund ta botojnë këtë libër. Unë përpiqem ta kuptoj frikën e tyre, por jo edhe nënshtrimin e tyre. Megjithatë, mos qofsha në lëkurën e tyre”, ka thënë Apolloni.

Shkrimtari që është edhe profesor universitar i letërsisë ka thënë se e ka ditur që Serbia ka probleme serioze me demokracinë, por nuk e ka ditur që serbët ende jetojnë nën diktaturë.

“Libri im nuk atakon, vetëm dëshmon, dhe këto dëshmi janë shumë të nevojshme të lexohen nga serbët e pamanipuluar; ata duhet të dinë se çfarë kanë bërë bashkëkombësit e tyre të manipuluar nga sistemi politik i Milosheviqit, bir ideologjik i të cilit është Vuçiqi”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, sikur veprat e autorëve hebrenj të mos liheshin të publikoheshin në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore do të ishte më shumë se skandal. Mirëpo, sipas tij, “gjermanët pështynë mbi liderin racist të tyre, mbi ideologjinë e tij, dhe sot janë shtet dhe popull i respektuar”.

“Serbët (intelektualët, shkrimtarët, shkencëtarët, studentët, aktivistët etj.) duhet të aktivizohen kundër presidentit të tyre manipulator, që mban gjallë idetë e një monstrumi të vdekur. Fitorja e zgjedhjeve para pak javësh nga partia e këtij manipulatori, na lë para dilemës: a vërtet shumica serbe mendon si presidenti i përçudshëm serb, apo kemi të bëjmë me manipulim zgjedhjesh e vjedhje votash?”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, në të dy rastet serbët normalë duhet të revoltohen. Ka thënë se Vuçiq po e mban në terr popullin e tij.

“Ai po i frikëson intelektualët. Për botimin e romanit tim në Serbi janë angazhuar edhe disa intelektualë në Beograd, por pa sukses”, ka thënë ai.

Ata që e kanë lexuar serbisht, sipas Apollonit, e kanë vlerësuar përkthimin si të shkëlqyeshëm.

“Edhe në serbisht romani tingëllon mirë, sepse i bie kambanës së të vërtetës. Kambana bie për ata që kanë veshë. Shpresoj që serbët nuk janë shurdha”, ka thënë ai.

Vepra e Apollonit, vitin e kaluar, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është promovuar në Hagë.

Doku-romani i cili është shkruar me një stil të veçantë, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni, rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Teksa ndërlidhet me një sërë faktesh e statistikash reale të luftës së fundit në Kosovë, romani rrëfen edhe vuajtjet e dy nënave të cilave ua kishin vrarë djemtë në luftë; atë të Ferdonije Qerkezit dhe Pashkë Markut.

Libri në gjuhën holandeze i kishte rënë në dorë edhe kritikes së njohur holandeze, Mieke Bal, e cila në një koment dhënë për KOHËN e kishte cilësuar atë si kryevepër.

“Një doku-roman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film”, kishte thënë Bal, e cila ligjëron teorinë e letërsisë në Universitetin e Amsterdamit.

Ndjeshmërinë e rrëfimit dhe mënyrën e veçantë të shkrimit të romanit i kishte vlerësuar edhe përkthyesi në holandisht i veprës, Jan Jansen.

“Janë tregime reale, pa ndërhyrje, dhe kjo shkakton te lexuesi një ndjesi të lidhjes direkte me ato dy nëna. Kjo krijon një lidhje emocionale me ngjarjet. Para se të më binte në dorë libri, kisha dëgjuar që është rrëfim prekës dhe që lexohet me një frymë”, kishte thënë ai për KOHËN.

Jansen, i cili gjatë viteve 1979-2004 ka punuar edhe si zëdhënës i Amnesty International për Jugosllavi dhe Shqipëri, kishte treguar arsyet që e kishin shtyrë t’i përvishej punës së përkthimit të veprës.

“Botuesit holandezë të romanit më kanë pyetur nëse do të mund ta përktheja atë. Ata e dinin se kisha qenë disa herë në vendet shqipfolëse të Ballkanit, me mision për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut. Libri i Agut përshkruan ngjarje që kanë ndodhur në rrethin e Gjakovës gjatë luftës dhe përjetimet e dy grave. Meqenëse në Kosovë pata ardhur menjëherë pas luftës, dhe kam qenë edhe në Gjakovë, ngjarjen që zhvillohet në roman e kam shumë për zemër”, kishte thënë ai.

Sipas Apollonit, tashmë ka mbaruar përkthimi edhe në bullgarisht e sllovenisht. Ka treguar se në proces përkthimi është edhe në italisht, çekisht, polonisht, rumanisht, dhe, në fazë fillestare, në norvegjisht.

“Por, pavarësisht këtyre gjuhëve, një botim në Beograd është i domosdoshëm dhe, natyrisht, i dobishëm për vetë serbët. Megjithatë, kemi alternativë. Shpresoj që botuesit malazezë, kroatë, apo boshnjakë të mund të kontribuojnë në heqjen e kësaj mjegulle që po mbrohet nga Beogradi”, ka thënë Apolloni, i cili vitin e kaluar qe nderuar nga Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi, “Special Mention” për romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”.