Deri te ministri i Shëndetësisë është dërguar rekomandim për shpalljen e epidemisë së kollës së madhe në territorin e Qytetit të Shkupit. Ky është vendimi i Komisionit për Sëmundje Infektive, pasi numri i të infektuarve me këtë sëmundje vazhdon të shënojë rritje. Kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski tha se janë konfirmuar 18 raste të kollës së madhe.
“Sot numrat e fundit janë 18 raste të konfirmuara me kollën e madhe dhe duke pasur parasysh se ditëve të fundit ky numër është në rritje, sidomos në territorin e Qytetit të Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste, vendosëm të propozojmë, pra të rekomandojmë shpalljen e epidemisë për Qytetin e Shkupit. Kjo me epideminë tingëllon pak ashpër, por realisht duhet të jetë lehtësim gjatë përballimit me rrezikun që vjen me sëmundjen e kollës së madhe.”- deklaroi Aleksandar Petliçkovski, kryetar i KSI.
Shpallja e epidemisë, sipas mjekut Zllate Mehmedoviq, do të ndihmojë për t’i zbutur pasojat, të cilat, siç tha, nuk dihet deri në cilin nivel do të shkojnë.
“Për momentin, të gjitha rastet që janë në Maqedoni gjithsej 18 në numër, raste të veçanta, në thelb janë arsyetim që në këtë periudhë të shpallim epidemi në territorin e Qytetit të Shkupit, për të mos lejuar që të kemi klasterë në një familje. Shpallja e epidemisë do të na japë mundësi ta zbusim më lehtë epideminë, e cila padyshim, ja tashmë shohim se kemi 2 raste të reja të raportuara në ditë, është duke u intensifikuar dhe nuk e dimë deri ku do të shkojë.”- tha Zllate Mehmedoviq, KSI.
Sipas Petliçkovskit, arsyeja kryesore për këtë situatë është mosvaksinimi, prandaj, paralajmëroi se të gjithë ata që nuk e kanë pranuar vaksinën e rregullt do të thirren që të vaksinohen në pikat e vaksinimit, sepse, në të kundërtën, siç shpjegoi, fëmijët nuk do të pranohen në çerdhe. Kjo masë nuk do të vlejë për shkollat. Për këta fëmijë vetëm ka apel që të vaksinohen.
“Do të propozojmë që puna e pikave të vaksinimit të organizohet në dy turne dhe në mënyrë shtesë fëmijët të pranohen për vaksinim edhe të shtunën. Gjithashtu rekomandojmë që fëmijët që nuk janë vaksinuar kundër kollës së madhe të mos pranohen në çerdhe dhe presim që këto masa të nxisin interesin për vaksinim, pasi fokusi është të mbrohen më të vegjlit, pasi kjo sëmundje është më e rëndë për më të vegjlit”. Nga Komisioni për Sëmundje infektive thonë se ka mjaft teste në dispozicion, kurse mjekët amë dhe specialistët do të marrin udhëzime për testimin e rasteve të dyshimta. Njëkohësisht rekomandojnë që të infektuarit të mos dalin jashtë dhe të mos realizojnë kontakt me njerëz të shëndetshëm, me qëllim që të parandalohet përhapja e sëmundjes.