Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në një repart të kujdesit kritik për shkak të problemeve me fshikëzën, duke ia transferuar përgjegjësitë zëvendëses së tij, tha Pentagoni të dielën.
Nënsekretarja amerikane e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, “mori funksionet dhe përgjegjësitë” pak para orës 17:00, sipas kohës lokale, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, përmes një deklarate, duke shtuar se për këtë janë njoftuar Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi.
Austin ishte zhdukur nga syri i publikut gjatë trajtimit për kancerin në prostatë në dhjetor dhe më pas në janar, pasi kishte pasur ndërlikime gjatë një procedure.
Këtë herë, publiku u njoftua dy orë pasi ai u dërgua në spital të dielën pasdite.
Austin “u transportua nga ekipi i tij i sigurimit” në spital, tha Ryder përmes deklaratës. Ky zëdhënës fillimisht tha se shefi i mbrojtjes mori me vete sisteme të klasifikuara të komunikimit dhe do të mbante detyrat.
Por, në njoftimin e dytë u bë e ditur se Hicks do të merrte përgjegjësitë e Austinit.
“Aktualisht nuk është e qartë se sa do të qëndrojë në spital sekretari Austin”, u tha në deklaratën e fundit të Pentagonit, që iu referua Dr.John Maddox dhe Dr.Gregory Chesnut nga spitali Walter Reed që gjendet në Marilend.
Muajin e kaluar, Austin kishte kërkuar falje pasi u përball me kritika se kishte mbajtur sekret shtrimin paraprak në spital.
“Është dashur që ta njoftoja presidentin për diagnozën time me kancer”, u tha ai gazetarëve më 1 shkurt.
Shtrimi i tij në spital po ndodh në kohën kur SHBA-ja po përballet me krizat në Lindjen e Mesme, ku forcat amerikane në Irak dhe Siri pothuajse përditë po përballen me sulme nga militantët e mbështetur nga Irani në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes së Uashingtonit për Izraelin.
Zyrtari më i lartë i mbrojtjes në SHBA po ashtu është figurë kyçe në përpjekjet e administratës Biden për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, përderisa ligjvënësit republikanë në Kongres po refuzojnë të miratojnë ndihmën e re ushtarake për Kievin./REL