Kryeministri Albin Kurti tha se Republika e Kosovës nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke komentuar deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i ka thënë se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë. Sa i përket kërkesë së SHBA-së për tërheqje të vendimit për dinarin, Kurti tha se Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja.
Deklarata e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, se Shtetet e Bashkuara nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen si partnerë, ngjalli reagime.
Duke komentuar deklaratën e zyrtarit të lartë amëerikan O’Brien pas vendimit për dinarin, kryeministri Kurti tha se nuk po rrezikohet partnerireti me ShBA-në, teksa iu përgjigj edhe kërkesë për tërheqje të vendimit.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleatë dhe mik më të rëndësishëm sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. BQK ka prezantuar një plan dhjetë pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike, qeveria nuk i mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore siç është BQK, dhe në mesin e këtyre dhjetë pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese. Pra pa ndëshkim, incidente duam të ecim përpara. Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serb. Jam kryeministër i cili nuk dëshiron qe qytetarët të kenë më pak para, të kenë më shumë para. BQK ja ka dërguar një letër Bankës popullore të Serbisë, shpresojmë se do të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë, bëhet fjalë për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë qe të ndëshkojmë askënd me kurrfarë masash, mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion, ashtu që të legalizohet, të formalizohet çdo transaksion financiar…Nuk po rrezikohet (partneriteti me Ameriken”, tha Kurti.
Edhe minstiri i Financave, Hekruan Murati, tha se Kosova është partner i përkushtuar dhe ndanë informata me aleatët duke përfshirë edhe çështjen e rregullores së BQK-së për dinarin.
“Sa i përket çështjes së deklaratave të partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjithsesi duhet theksuar se është një vendim i cili është marrë nga Banka Qendrore në dhjetorin e vitit të kaluar. Nuk është vendim që është marrë rishtazi. Vendimi ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, por është marrë më herët. “Patjetër që konsultohemi, patjetër që koordinohemi dhe patjetër që kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që arrin apo që synon të arrijë rregullorja e BQK-së, por edhe shumë ligjeve të tjera që kemi miratuar ne, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Besoj se këto i keni marrë edhe përmes deklaratave të ambasadave. Do të thotë, nuk ka dilema apo nuk ka kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë. I vetmi dallim është në periudhën apo si të dizajnohet periudha tranzitore..”, tha Murati.
Por opozita e sheh shqetësues paralajmërimin e SHBA-së që vë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën pas vendimit për dinarin.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, vlerëson se gabimet e qeverisë në hapa po i kushtojnë Kosovës.
“Qeveria duhet të jetë vigjilente cdo veprim duhet të koordinohet me aletatët . Gabimet në hapa po i kushtojnë qytetarëve dhe Kosovës”, tha Beqa për rtv21.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti po cenon partneritetin me SHBA-në.
Janë kërcënimet më seriozë që naj herë ka amrrë ksoova nga miku më i madh, SHBA-ja…Logjika e qeverise Kurti është antiamerikane kundër logjikes së këtij partenriteti të madh. Uroj të reflektojë në këto momente të fundit të cenimit të këtij partneriteti jetik për Kosovën”, tha Selmanj.
Rregullorja e BQK-së që heq dinarin nga përdorimi hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht nga kërkesa e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi./RTV21/21Media