Katër raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në disa komuna të Kosovës.
Bëhet e ditur se në Podujevë një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe e njëjta ka lëndime të rënda në dorë (frakturë). I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Fushë-Kosovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Ndërkaq në rastin tjetër, po ashtu një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq në Gjilan një i dyshuar është arrestuar për arsye se kishte ushtruar dhunë psikike dhe i kishte kanosur nënën dhe vëllain e tij. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimi, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore, është dërguar për trajtim në repartin e psikiatrisë në mbikëqyrje policore.