Kanë mbërritur 20 mijë formularë, deri në fund të këtij muaji do të arrijë një dërgesë shtesë, tha sot zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme Mitko Bojmaçaliev, i cili së bashku me drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, realizoi takim me kryesinë e Sektorit të Punëve të Brendshme të Kumanovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndryshimin e dokumenteve, Bojmaçaliev tha se deri më tani janë lëshuar më shumë se një milion e treqind mijë pasaporta.
“Askush nuk saboton askënd në këtë Ministri. Vetëm do të them se ditën kur është bërë dorëzimi mes ministrit Spasovski dhe ministrit Toshkovski kanë ardhur 50 mijë formularë, ditën tjetër kanë ardhur 20 mijë, nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim. Ne presim një dërgesë më të madhe deri në fund të muajit. Gjithashtu, në qershor do të arrijë një dërgesë e madhe që do t’i plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve, atyre që kanë bërë fotografi për të marrë dokumentet”, tha Bojmaçaliev.