Aktualisht në hapësirën evropiane qarkullojnë tri sëmundje infektive. Derisa në vend më aktuale është çështja e kollës së madhe, vendet fqinje Shqipëria dhe Serbia kanë shpallur epideminë e fruthit.
“Gjithmonë rastet janë të importuara, kjo është praktikë gjithkund. Tek ne nuk ka asnjë rast për momentin dhe nëse ndodh të kemi raste me fruth ai definitivisht do të importohet. Ky është parimi i përhapjes së sëmundjeve infektive. Në vitin 2022 ishin regjistruar rreth njëmijë raste me fruth në rajonin e Evropës, kanë bërë të ditur nga Qendra evropiane për kontrollin e sëmundjeve. Në vitin 2023 është rritur për 30 herë numri, përkatësisht janë regjistruar 30 mijë raste në Evropë. Ne kemi shpallur epideminë e pertusis. Aktualisht nuk kemi vetëm një sëmundje infektive me të cilën përballemi. Edhe difteria është sëmundja e tretë ngjitëse, e cila po i shqetëson autoritetet shëndetësore në Evropë. Ka masë praktike që mund ta zgjidhë, por fatkeqësisht nuk e shfrytëzojmë si duhet procesin e vaksinimit. T’i përkujtojmë qytetarët, t’i përkujtojmë prindërit se kjo që po ndodh në Evropë, nëse nuk dëshirojmë të na ndodhë edhe në Maqedoni, duhet t’i vaksinojmë fëmijët.”, – deklaroi Zllate Mehemedoviq nga KSI.