Qeveria e re në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të përballet me një realitet të vështirë me Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi diplomati bullgar dhe ish-zëvendës shefi i diplomacisë bullgare, Lubomir Quçukov.
“Nga njëra anë, ata do të jenë nën presion nga premtimet e tyre për të rinegociuar kuadrin e negociatave me BE-në dhe nga ana tjetër nga pamundësia praktike që kjo të ndodhë”, shpjegoi ai në një deklaratë për mediat bullgare, duke shtuar se e vetmja gjë që është e paracaktuar është se “negociatat reale për anëtarësimin e Maqedonisë në BE nuk do të fillojnë derisa të plotësohet parakushti për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve si pjesë e popullit në të”.
“Së pari do të duhet bërë që VMRO-DPMNE të formojë një qeveri, për të cilën do të marrë mbështetje edhe nga partia shqiptare… Dhe së dyti, që të mos i bllokojnë marrëdhëniet me Brukselin, sepse kur vjen puna për fillimin e procesit negociator, problemet nuk janë më mes Sofjes dhe Shkupit, por Shkupit dhe Brukselit”, është i vendosur diplomati.
Ai theksoi se BE-ja tashmë po jep sinjale se është e prirur ta ndajë Shqipërinë nga pakoja e përbashkët me Maqedoninë në procesin e negociatave dhe rrugën drejt integrimit evropian.
“Ndarja e dy vendeve, megjithatë, krijon rrezik të tensionit rajonal dhe destabilizimit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe përmes prizmit të një konfrontimi të ri etnik”, vlerëson Quçukov./Telegrafi/