“Ligji i gjuhëve”, Presidenca e RMV-së “nuk e njeh”, Qeveria pjesërisht

“Ka ligj, por ka edhe Maliq”, kjo është shprehja që i përshtatet më së miri përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e vendit. Ligji është, por ka dhe “Maliq”, nga i cili varet zbatimi i saj, pasi saherë që ndryshon përbërja qeveritare, ndryshon edhe zbatimi i saj. Në këtë drejtim, Portalb.mk, ka analizuar përdorimin e shqipes për një javë në komunikatat me mediat dhe ueb-faqet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Presidencës dhe Kuvendit, tani që me këto institucione kryesojnë njerëz të rinj.

Gjatë shtatë ditëve të analizuara (12-18 shtator) të komunikatave të këtyre tre institucioneve, vërehet që Presidenca nuk e përfill fare gjuhën shqipe, Qeveria dërgon komunikata edhe në shqip edhe pse me vonesë dhe jo të gjitha, ndërsa Kuvendi gjithmonë e zbaton gjuhën shqipe, përveç përjashtimeve tepër të rralla.

Presidenca

Gjatë shtatë ditëve të analizuara, presidenca nuk e ka dërguar as edhe një komunikatë në gjuhën shqipe, ndërsa praktikë të ngjashme ka pasur edhe gjatë kryesimit të këtij institucioni nga ish-presidenti Stevo Pendarovski. Megjithatë sërish nuk ka qenë në këtë nivel. Edhe pse me raste shumë të rralla, dërgohej tek-tuk ndonjë komunikatë në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

Kur bëhet fjalë për ueb-faqen, situata nuk është më e mirë, por përsëri është funksionale edhe në shqip. Megjithatë, nuk është përditësimi i njëjtë si në maqedonisht. Për shembull, gjatë kontrollit të ueb-faqes nga redaksia jonë më 19 shtator, në versionin maqedonisht të ueb-faqes komunikata e fundit e Presidencës është e datës 18 shtator, ndërsa në versionin shqip është e datës 10 shtator, ndërkohë që mes datave 10-18 shtator ka pasur çdo ditë informacione në gjuhën maqedonase. Pra, për 8 ditë të plota, ueb-faqja nuk është përditësuar me asnjë informacion shqip. Ndërkohë, në versionin shqip, pjesa e “Kategorive” është në gjuhën maqedonase, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme (djathtas):

Kuvendi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në shtatë ditët e analizuara, pothuajse të gjitha komunikatat i ka dërguar në të dyja gjuhët, përveç një komunikate që është dërguar vetëm në maqedonisht, transmeton Portalb.mk.

Edhe sa i përket ueb-faqes së Kuvendit, njoftimet ditore dhe agjenda janë vazhdimisht të përditësuara me informacione të reja edhe në gjuhën shqipe. Ndërsa kur bëhet fjalë për të dhëna më të veçanta, nuk gjenden në versionin në shqip. Për shembull rubrika “Të dhëna të hapura” dhe “Regjistër për organizata”, nuk ndodhet në versionin shqip të ueb-faqes.

Sidoqoftë, krahasuar me Qeverinë, e me presidencën as që bëhet fjalë, Kuvendi i RMV-së e zbaton gjuhën shqipe, veçanërisht në komunikim me mediat.

Kjo praktikë në Kuvend ka qenë edhe kur kryeparlamentar ishte Talat Xhaferi. Pra nuk ka ndryshime në këtë institucione, përkatësisht mund të konstatohet që gjuha shqipe zbatohet në tërësi.

Qeveria

Kur jemi te Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk është se ka ndryshuar shumë praktika e komunikatave të dërguara në gjuhën shqipe nga koha e Qeverisë teknike apo nga ajo e LSDM-së. Në të tre rastet, komunikatat në gjuhën shqipe dërgohen në mënyrë të parregullt. Gjegjësisht, çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët njëherësh dhe dallimi midis dy komunikatave arrin deri në mbi dy orë, transmeton Portalb.mk. Kjo do të thotë, se pasi gazetarët tashmë e kryejnë punën, e përkthejnë komunikatën dhe plasojnë lajmin, arrin komunikata në gjuhën shqipe.

Më poshtë po ilustrojmë dërgimin për shtatë ditë të komunikatave nga Qeveria:

18 shtator – Qeveria ka dërguar 9 komunikata, pesë prej tyre edhe në gjuhën shqipe, të tjerat vetëm në maqedonisht. Njëra prej komunikatave e dërguar në shqip është dërguar pas dy orësh.

17 shtator – Në këtë datë janë dërguar 3 komunikata, dy vetëm në maqedonisht, ndërsa njëra në shqip dhe maqedonisht. Gjegjësisht, njëra prej komunikatave është dërguar njëherë në maqedonisht, ndërsa të dytën herë në shqip dhe maqedonisht.

16 shtator – Qeveria ka dërguar 11 komunikata. Të gjitha edhe në shqip edhe në maqedonisht, por si gjithmonë me 30 minuta e deri në një orë vonesë. Përkatësisht, 5 komunikata fillimisht janë dërguar në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Një komunikatë e kësaj date është e 15 shtatorit, e cila në këtë datë, u dërgua vetëm në maqedonisht.

15 shtator – Në këtë datë është dërguar një komunikatë vetëm në maqedonisht. E njëjta në të dyja gjuhët është dërguar më 16 shtator.

14 shtator – Në këtë datë është dërguar poashtu vetëm një komunikatë vetëm në maqedonisht.

13 shtator – Qeveria ka dërguar pesë komunikata, dy prej të cilave fillimisht vetëm në gjuhën maqedonase, pastaj në të dyja gjuhët, ndërsa një komunikatë është me lista të zëdhënësve që nuk nevojitet përkthim.

12 shtator – Në këtë datë janë dërguar nëntë komunikata, katër njëherë vetëm në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Njëra është dërguar vetëm në gjuhën maqedonase.

Sa i përket ueb-faqes së Qeverisë, gjuha shqipe është më e zbatueshme se sa e Presidencës, e cila për tetë ditë nuk e ka përditësuar ueb-faqen në shqip me informatat më të fundit. Qeveria, përditëson me një ose dy ditë vonesë versionin shqip të ueb-faqes. Kontrolluar më 20 shtator të dy versionet, vërehet se në versionin maqedonisht ka informacione të po kësaj dite, ndërsa në shqip janë të një dite më parë, 19 shtator.

Problemi me kategoritë, ashtu sikurse në ueb-faqen e Presidencës, hasen edhe në ueb-faqen e Qeverisë, transmeton Portalb.mk. Për shembull, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme, “Meta podatoci” dhe “Sliçni objavi” në të dy versionet e ueb-faqes janë në maqedonisht.

Sa për krahasim, mes tre qeverive, asaj të LSDM-së, asaj teknike dhe të VMRO-së nuk është se ka ndonjë dallim të madh, ajo që vërehet si ndryshim është se në krye me Talat Xhaferin, komunikatat shqip dërgoheshin gjithmonë paralelisht me ato në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.
Gjithashtu, gjatë Qeverisë së Xhaferit, në shqip përktheheshin vetëm komunikatat ku si “protagonist” e kishin kryeministrin Xhaferi, ndërsa lidhur me anëtarët tjerë të Qeverisë, nuk dërgoheshin fare komunikata edhe në shqip. Në raste të rralla dërgoheshin komunikata në shqip, kur nuk kishin të bënin me Xhaferin edhe atë në lajme tepër të rëndësishme.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.