Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, në një intervistë për prestigjozen britanike “Financial Times” të mërkurën, deklaroi se vendi i vogël ballkanik do të shtyjë përpara agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe sëkëndejmi, synon të anëtarësohet në bllok para vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi mbështet të gjithë fqinjët rajonalë, por nuk do t’i presë ata në rrugën drejt anëtarësimit në BE, theksoi Spajiç, duke marrë parasysh që sfidat me të cilat përballen vendet ballkanike, përfshirë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të marrin vite për t’u zgjidhur.