SHBA-ja kryen sulme ajrore në objektet e përdorura nga Garda Revolucionare e Iranit në Siri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, theksoi se këto sulme ishin “përgjigje ndaj një serie sulmesh nga grupet e mbështetura nga Irani kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se vendi i tij kreu sulme ajrore në dy objekte të përdorura nga Garda Revolucionare iraniane dhe grupet nën kontrollin e saj në Sirinë lindore, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate me shkrim nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), Austin theksoi se këto sulme ishin “përgjigje ndaj një serie sulmesh nga grupet e mbështetura nga Irani kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri, të cilat filluan më 17 tetor dhe përfunduan kryesisht pa sukses”.

“Nëse grupet e mbështetura nga Irani vazhdojnë sulmet e tyre kundër forcave amerikane, ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të tjera të nevojshme për të mbrojtur popullin tonë. Këto sulme të mbështetura nga Irani ndaj forcave amerikane janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Irani dëshiron të fshehë rolin e saj në këto sulme. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Austin.

Duke theksuar se sulmet ajrore u kryen me udhëzimet e presidentit amerikan, Joe Biden, Austin konfirmoi se një shtetas amerikan vdiq nga një atak në zemër dhe 21 persona u plagosën si rezultat i sulmeve të grupeve të mbështetura nga Irani.

Austin deklaroi se sulmet u kryen vetëm për të mbrojtur personelin amerikan në Irak dhe Siri dhe se kjo situatë nuk kishte të bënte me konfliktin Izrael-Palestinë.

“U bëjmë thirrje të gjitha strukturave (përgjegjëse për sulmet), qofshin të lidhura me Qeverinë apo jo, të mos ndërmarrin veprime që do të çojnë në një konflikt më të gjerë rajonal”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Autoritetet theksuan se ata e dinin se grupet që kryen sulmet mbështeteshin nga Garda Revolucionare iraniane.