Kryetari i Zubin Potokut shprehet i gatshëm të japë dorëheqje

Pas vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nisjen e procedurave ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.

Zeqiri ka thënë se interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve është prioritet, prandaj ai është shprehur i gatshëm të përshtatet dhe të jetë përkrah çfarëdo vendimi që merr qeveria.

“Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.

Ndryshe, të martën e 1 gushtit, kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.