Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit të Nacionales

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.K, për shkak se i njëjti dyshohet se ka sulmuar gazetarin e Nacionales, Vullnet Krasniqi, gjatë kryerjes së detyrës.

Në njoftim thuhet se gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

“I pandehuri A.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrat e tij zyrtare – të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar, pasta, i dëmtuari V.K., vazhdon ti intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm ku has në rezistencë, të të pranishmëve, dhe persona të tjerë e sulmojnë fizikisht gazetarin me të cilat veprime tek i njëjti shkaktojnë shqetësim”, thuhet në njoftim.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i të kësaj caktimi i paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit.