Kurti me Muratin vazhdojnë vizitat në biznese, inkurajojnë rritjen e pagave – Ora Info

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati po vazhdojnë vizitat nëpër biznese të ndryshme. Kësaj radhe ata shkuan në kompaninë “Golden Eagle” në Suharekë.

Në këtë vizitë, e cila është e treta brenda javës që kryeministri Kurti po i realizon tek bizneset vendore, falënderoi të gjithë punëtorët për kontributin që po e bëjnë duke i inkurajuar edhe bizneset e tjera gjithandej Kosovës që të shohin të gjitha mundësitë për rritjen e pagës mesatare të punëtorëve.

“I falënderojmë të gjithë punëtorët për kontributin që po e bëjnë dhe i inkurajojmë edhe bizneset e tjera gjithandej Kosovës që të shohin të gjitha mundësitë për rritjen e pagës mesatare të punëtorëve, konkretisht krahasuar me fillim vitin paga mesatare këtu është rritur nga 620 euro në 730 euro, që është inkurajuese për ekonominë e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, tha se është kënaqësi të shohim një linjë të tillë prodhimi që mund të shihet në çdo vend të zhvilluar evropian.

“Sa na përket neve si qeveri siç e tha kryeministri jemi të gatshëm që të mbështesim të gjithë prodhuesit vendor, sidomos këta që tregojnë vullnet dhe gatishmëri që t’i kthejnë edhe komunitetit sidomos, dhe t’i mbështesim qoftë nga lënda e parë duke mbështetur bujqit dhe fermerët përmes subvencioneve, qoftë në investime dhe zgjerimin e kapaciteteve siç ka qenë Masa 2.1 apo edhe në mbështetjen e zhvillimit dhe resurseve humane dhe rritjes së punësimit, siç është masa me “Superpunën” dhe masat tjera që kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, grave dhe të gjithë personave të tjerë pra që kërkojnë vende pune”, tha ministri Murati.

Kryeministri bashkë me ministrin Murati, shprehën gatishmërinë dhe interesimin që bizneseve prodhuese të cilat e ndihmojnë edhe fermerin e bujqësinë vendore,  do t’iu gjenden pranë dhe t’i ndihmojnë.