Diaspora e Kosovës vazhdoi të kontribuojë për Kosovën edhe këtë vit, raporton RTK dhe saktëson se sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shënuar rritje e remitencave nga diaspora.
Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tha për RTKlive se në periudhën janar-qershor 2023, shuma e remitencave ka arritur në 632 milionë e 900 mijë euro.
Krahasuar me 555 milionë e 400 mijë euro në vitin 2022, kemi një rritje prej 77.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të një viti më parë, tha Kada.
Ai saktëson se shteti nga i cili janë regjistruar kontributet më të mëdha është Gjermania.
– Në tremujorin e parë të këtij viti nga Gjermania kanë ardhur 38.8 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar, përkatësisht gjatë 12 muajve, nga Gjermania kanë ardhur 161.5 milionë euro. Ndërkaq, nga Zvicra në tremujorin e parë kanë ardhur 17.2 milionë euro, pasuar nga SHBA me 7.6 milionë euro, Austria dhe Italia me 4.8 milionë, tha ai.