Zbulimi i naftës, Rama: Rezerva është e madhe

Në Shpirag, zonën naftëmbajtëse më të rëndësishme në Shqipëri, pas një pune thuajse 10 vjeçare, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, i cili në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.  Për të inspektuar ecurinë e kërkimeve në zonën naftëmbajtëse Shpirag 5, ku ka përfunduar me sukses faza e shpimit ishte kryeministri Edi Rama. Duke folur për naftën e gjetur Rama thotë se nëse do ketë sukses do jetë një mbështetje e madhe për qytetarët e Shqipërisë. Sipas tij paralelisht me përgatitjen për testin, që do të fillojë në tetor, po përgatitet edhe plani masiv i investimit, për infrastrukturën e nevojshme për nxjerrjen dhe transportimi të saj. Ai thotë se rezerva e naftës do ketë ndikim tek pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve.

“Paralelisht me përgatitjen për testin, që do të fillojë në tetor dhe rezultatet e testit bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del në sipërfaqe, për çka përdoret një periudhë 2-3 mujore, po përgatitet edhe plani masiv i investimit, për infrastrukturën e nevojshme për nxjerrjen dhe transportimi ne saj. Nafta e zbuluar është e cilësisë së parë. Hera e parë që ndodh në vendin tonë, sepse burimet e tjera janë burime të një nafte të rëndë, e cila nuk futet në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë më modeste. Sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta në Shpirag e barabartë me naftën Premium i Arabisë Saudite,” deklaroi kryeministri Edi Rama. /alsat.mk