Ministri Sveçla merr veturën luksoze “Range Rover” të Burdushit – Ora Info

Tri vetura iu konfiskuan nga shteti.

Një xhip Range Rover, një Renault Megane RFB dhe një Audi A7 janë veturat luksoze që shteti ia mori mjekut popullor, Hysri Peqanit – Burdushit.

Vetura e tipit LAND Range Rover e konfiskuara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar po shfrytëzohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministria e tij për nevojat e tyre.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë konfirmuar se e kanë në shfrytëzim veturën e lartpërmendur dhe se ajo po përdoret për nevojat e Ministrisë.

Ata në një përgjigje për Front Online kanë treguar se kanë mungesë të veturave dhe kanë bërë kërkesë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar për dy vetura, por kërkesa është aprovuar për vetëm një veturë.

“MPB për shkak të mungesës së veturave, ka kërku nga Agjencia dy vetura dhe kërkesa jonë është aprovuar për një veturë që tashmë është në përdorim nga Ministria, sipas dispozitave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Nga kjo Ministri thonë se në të njëjtën formë edhe veturat e tjera të konfiskuara u jepen institucioneve të ndryshme të shtetit.

“Mallrat të cilat sekuestrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar të përfituara nga veprat të ndryshme penale, krimit të organizuar, kontrabandës etj, pas sekuestrimit u jepen në shfrytëzim institucioneve të ndryshme, sipas nevojës dhe kërkesës së institucionit. Në të njëjtën formë edhe shumica e veturave të cilat janë sekuestruar u jepen për përdorim Policisë së Kosovës, Ministrive si dhe institucioneve të ndryshme, varësisht nga kërkesat dhe nevojat”, thuhet më tej në përgjigjen e MPB-së për Front Online.

Përgjigje nuk kanë kthyer  nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar anipse këta të fundit përmes një e-maili kërkuan që pyetjet t’ua adresojmë nëpërmjet zyrës për komunikim në Ministrinë e Drejtësisë.

Front Online ka tentuar të flas edhe me Hysri Peqanin –Burdushin, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike e as mesazheve.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

 

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk ka shkuar ende në vuajtje të dënimit me burgim, pasi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2023, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim më 30 qershor 2023 e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

Në këtë urdhëresë, thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në Institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit./Front Online/