Kurti dhe ministri i Jashtëm i Estonisë diskutojnë për kërcënimet kibernetike nga Rusia – Ora Info

Në kuadër të Samitit të 8-të Global të Partneritetit për Qeveri të Hapur, që këtë vit po organizohet nga Qeveria estoneze, ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, shtroi një drekë pune në të cilin ishte i ftuar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë drekës, udhëheqësit e delegacioneve pjesëmarrëse, diskutuan për zhvillimet e fundit në rajonet përkatëse, pasojat e agresionit të vazhdueshëm rus, dhe rreziqet nga kërcënimet kibernetike, sidomos ato që vijnë nga Rusia.

“U diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit, në rrafshin politik, ekonomik, dhe të sigurisë, si dhe për vlerën e shkëmbimeve të përvojave në demokratizim të shoqërive dhe reformim të administratës publike drejt digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim.