Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, mund të hiqen ose shtohen, por kjo varet nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë një burim në Bruksel, që shtoi se për çështjen e masave, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë rundit të fundit të dialogut. Sipas burimit, Borrell i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim. Por, rundi i dialogut dështoi pa një ujdi, pasi siç tha blloku evropian, Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave. Zyrtari i BE-së tha se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat. Burimet në BE kanë thënë se shtetet e bllokut “po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë” dhe se “lehtësuesit do të preferonin sikur të mos kishte fare masa ndaj asnjërës palë”. Në BE për një kohë përmendin sanksionimin e Serbisë si “një mundësi”, por deri më tani masa janë vendosur vetëm ndaj Kosovës. /Alsat.mk