Si ka funksionuar grupi terrorist serb? – Policia e Kosovës publikon disa video të reja – Ora Info

Një javë pas zhvillimeve të datës 24 shtator 2023 në veri të Republikës së Kosovës,  gjegjësisht në fshatin Banjskë, ku Policia e Republikës së Kosovës realizoi operacionin e suksesshëm ndaj grupit terrorist, gjetjen dhe konfiskimin e një arsenali armësh, pajisjeve të ndryshme ushtarake, armë të rënda të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë dhe automjete përfshirë ato të blinduara, sot në ora 15:00 u organizua edhe konferenca e radhës për media, lidhur me të rejat e fundit.

Gjatë kësaj konference në të cilën morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Kolonel Gazmend Hoxha, të njëjtit shpalosen detaje të tjera lidhur me gjetjen në vazhdimësi të armëve të ndryshme, organizimin, trajnimin dhe përgatitjen e grupit terrorist në malet e Serbisë, për të sulmuar territorin dhe Policinë e Republikës së Kosovës, sulm ky i cili ndodhi me 24 shtator, ku edhe mbeti i vrarë dhe ra heroikisht në mbrojtje të vendit Rreshteri policor i rendit publik, tani më heroi i Kosovës Afrim Bunjaku.

Nga dëshmitë e konfiskuara prej grupit terrorist, posaçërisht nga dronët e tyre janë nxjerrë  pamje reale ku shihen anëtarët e grupit terroristë duke kryer përgatitje, trajnime si dhe duke stimuluar operacione të sulmeve të ndryshme.

Në fjalimin e tij ndër të tjera Ministri z.Sveçla potencoi se; “çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim, aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Në këtë tentim-aneksim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq”.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Kolonel Hoxha, ndër të tjera theksoi se, “bazuar në të dhënat e siguruara rezulton se qendra e grupit terrorist, ka qenë Kopauniku në Serbi, përkatësisht hapësira që është pronë e Millan Radojqiq, ndërsa ushtrimet ushtarake, janë mbajtur në një ndër poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe, që ndodhet në vendin e njohur si Pasuljanske Livade dhe atë së paku katër ditë para sulmit në fshatin Banjskë. Sipas të dhënave të siguruara në këtë fazë të hetimit është vërtetuar ndërlidhja e qëndrimit të grupit terrorist në Kopaunik, Pasuljanske Livade  (poligoni i ushtrisë serbe) dhe në Banjskë në Kosovë. Poligoni Posuljanske Livade është terren stërvitor ushtarak i ushtrisë serbe që ndodhet në territorin e komunave Paraqin, Despotovac dhe Boljevac në Serbi”.

Shfrytëzimi i territorit dhe zonave ushtarake në Serbi, ofrimi në dispozicion i infrastrukturës dhe logjistikës ushtarake, armatimit e mjeteve ushtarake, konfirmon mbështetjen e Serbisë ndaj këtij grupi dhe mundësimin për të realizuar sulmin terrorist dhe synimin e cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me akterët tjerë të sigurisë vendore e ndërkombëtare, ka ndërmarr dhe po ndërmerr veprime aktive në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues, menaxhimin e  sigurisë në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Në vijim keni linkun e fotove të armëve dhe mjeteve ushtarake të konfiskuara dhe videove ku shihen terroristët duke u trajnuar si dhe duke sulmuar Policinë e Kosovës:

Sqarimet e videove, armatimit dhe sulmit janë si në vijim:

Video 1.
Incizimet e datës 26 gusht 2023 ku paraqiten imazhe nga Kopauniku-Serbi, ku shihen resortet dhe hotel Grey që është prone e Millan Radojqiq.

Video 2.
Incizimet i përkasin datës 2 shtator 2023 po ashtu ne Kopaunik afër hapësirave pronë e Milan Radoiqiq, këto imazhe paraqesin testimin e veshjeve të cilat janë kundër kamerave termike.
Pamjet tjera paraqesin ushtrimet finale të grupit terrorist në poligonin e ushtrisë serbe i njohur si Pasuljanske Livade.

Video 3.
Sipas pamjeve të datës 20 Shtator 2023 duket se ushtrimet taktike operative për sulme ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme të pajisur me armë të gjata dhe pajisje ushtarake. Këtu shihen mjetet motorike, ku sipas pamjeve shihet se grupi ka simuluar sulmin dhe simulohen edhe plagosjet e anëtareve të grupit terrorist si dhe dhënia e ndihmës se parë.

Video 4.
Në ketë video të datës 20 Shtator 2023 paraqiten pamje ku grupi ka hasur në rezistencë dhe ku simulohet mbështetja me mjete te blinduara (HUMVEE).

Video 5.
Këto pamje po ashtu të datës 20 Shtator 2023 janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjeti luftarak (HUMVEE) ka ndaluar. Në vijën e parë shihet se ka inskenime/luftime ndërmjet gupeve . Vërehet se (HUMVEE) është duke mbështetur vijën e parë ndërsa luftimet e stimuluara nga grupi nën mbështetjen e (HUMVEE), janë duke shkëmbye zjarre. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak të grupit terrorist vërehen edhe automjete (HUMVEE) dhe dyshohet se njeri nga automjetet e konfiskuar nga Policia e Kosovës në sulmin terrorist të datës 24 Shtator 2023 është përdorur në të njëjtin ushtrim.

ARMATIMI:
Në foto janë shfaqur disa nga armatimi i konfiskuar e që dëshmon se të njëjtat janë të prodhuara në Serbi dhe disa prej tyre si armatimi po ashtu edhe municioni rezultojnë të jen prodhime të viteve të fundit.

SULMI
Sulmi fillestar i grupit terrorist sipas të dhënave të siguruara është bërë fillimisht me eksploziv, ku si pasoj e tij ka ndërruar jetë Rreshteri Policor i stacionit policor të Zveqanit, dhe pas këtij sulmi me eksploziv kishte filluar njëkohësisht edhe sulmi me armatimin të rëndë në drejtim të zyrtarëve tjerë policorë që ishin në vendngjarje.
Përmes videos dëshmohen sulmet fillestare të grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Sulmet siç shihen janë bërë me armë të ndryshme duke filluar nga Zolla dhe armë tjera të renda.