Prokuroria në Beograd paralajmëron ankesë ndaj vendimit për lirimin e Radoiçiqit

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të apelojë kundër vendimit të gjykatës që e liroi nga paraburgimi Milan Radoiçiqin, i cili akuzohet për disa krime në lidhje me organizimin e grupit që shkaktoi agresion në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjykata e Lartë në Beograd njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se hodhi poshtë propozimin e prokurorisë për të ndaluar Radoiçiqin dhe e ndaloi atë të largohej nga Serbia.

Lidhur me këtë vendimi, Prokuroria në Beograd tha për agjencinë Beta se me marrjen e vendimit të Gjykatës së Lartë do të bëjnë ankesë.

Ndaj Radoiçiqit është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga Serbia pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në Kosovë.

Po shtu, atij i është konfiskuar përkohësisht pasaporta, teksa është paralajmëruar se ndaj tij mund të caktohet masa e paraburgimit nëse i shkelë ndalesat dhe detyrimet e gjykatës.

Kujtojmë se Radoiçiqi e ka marrë përsipër organizmin e agresionit në Banjskë më 24 shtator, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë lëshuar urdhërarrest ndaj tij pas rastit “Brezovica”.