Vuçiq për Radoiçiqin: Bashkëpunëtor i afërt, jo mik

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për Sky News se Millan Radoiçiqi nuk është mik i tij, por bashkëpunëtor i afërt, për shkak se ai ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ai akuzohet në Serbi për një krim të madh dhe serioz, theksoi Vuçiq.  Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiq tha se ai nuk mund t’i quajë sulmuesit terroristë, edhe pse tha se dënon vrasjen e policit kosovar. Vuçiq tha se dislokimi i ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën nuk ishte një faktor destabilizues në Kosovë.

“Ushtria u dislokua sepse situata në Kosovë ishte e vështirë. Këtë gjë bëjnë ushtritë në mbarë botën, por pa qëllim për të sulmuar dikë”, tha Vuçiq.

Ai tha se vitin e kaluar, Serbia kishte vendosur 14.000 ushtarë afër kufirit.  Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Serbia “ka nisur tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën. Uashingtoni e cilësoi këtë si “lajm të mirë”. /Alsat.mk.