Përfundoi në Tiranë, Forumi i Shoqërisë Civile, i cila mblodhi në një vend ekspertë, zyrtarë qeverish dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimet dy ditore, dominoi kritika e hapur ndaj BE-së për mos përmbushjen e detyrimeve të saja ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë që pjesëmarrësit përmendnin qëndrimin se vendet e rajonit të ardhmen e kanë BE-në, për veç detyrimeve të tyre, ata thanë se BE duhet të jetë e prerë me politikën e saj të zgjerimit.
Andi Bobrushi, Drejtor i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Ballkanin, një nga organizatorët e forumit tha se shoqëria civile ka qenë përherë aty për të shtyrë proceset përpara, por tani sipas tij ka ardhur koha për veprim konkret sepse “konteksti na tregon se ka sinjale të rëndësishme nga Berlini dhe Brukseli, që tregojnë se ka një momentum të ri për procesin e zgjerimit, nga i cili ne duhet të përfituar”. Prandaj sipas Dobrushit qeveritë e gashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të humbin fokusin nga integrimet.
Forumi i Shoqërisë Civile zgjati dy ditë dhe u organizua nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur (OSF) për Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Fondacionin Helen për Politikë Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP) nga Greqia dhe me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) nga Tirana.
Forumi ishte si pararojë e samitit vjetor të Procesit të Berlinit i cili për herë të parë zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor e që është Tirana. Në këtë samit pritet të marrin pjesë zyrtarët më të lartë evropian, ndër ta edhe Presidenti Makron dhe kancelari Sholc, Presidentja e Komisionit Europian, von der Lejen, etj.
Përfundimet e forumit pikërisht pritet t’u prezantohen edhe liderëve evropian.