Balluku në 10-vjetorin e Programit “Lead”: Është fat të kemi djem dhe vajza që vendosin të qëndrojnë në vendin e tyre

Zv. Kryeministrja Belinda Balluku ishte e pranishme ditën e sotme në 10-vjetorin e programit “Lead” ky program është i angazhuar me të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri dhe zhvillohet nën kujdesin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Prej këtij programi shumë të rinj vendosin të qëndrojnë në Shqipëri dhe marrin pozicione kyçe në ministri apo administratë.

Balluku u shpreh se jemi në një moment demografik ku janë krijuar shumë vakuume intelektuale në poste kyçe në vend. Por këtë problem nuk e ka vetëm Shqipëria. Me të po përballen edhe Italia, Bullgaria apo Franca.

Megjithatë ky program krijon mundësi shumë të mira, pasi për 10 vite me anë të tij djem dhe vajza vendosin të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Jo vetëm administrata por edhe bizneset kanë nëvojë për njerëz që duan të punojnë dhe për Ballukun e rëndësishme është pozitiviteti dhe optimizmi.

Është e nevojshme të lëmë pas negativitetin dhe të thënit që diçka nuk bëhet. Balluku, në fund, iu tha të rinjve se ky vend ka nevojë për ju dhe për njerëz punëtorë dhe optimistë.

Fjala e zëvëndës kryeministres Belinda Balluku:

“Më takon të jem këtu si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si një nga mbështetësit më aktiv të programit Lead, se sa si zv.kryeministre sepse pjesa tjetër i takon kryeministrit. Është ai që i ka angazhuar gjithmonë dhe i ka dhënë mundësi pjesëmarrësve të këtij programi për t’u integruar brenda administratës publike.

Është kënaqësi shumë e madhe që të kemi mundësi të përshëndes në dekadën që ju festoni. Dhe për të thënë të drejtën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është një nga përfituesit kryesorë të këtij programi. Dhe këtu në sallë ju keni Inesin, një nga këshilltaret e mia që ka ardhur nga ky program. Dhe sigurisht unë besoj që në këtë sallë gjendet edhe një “To Be”, një këshilltar apo një anëtar tjetër i kabinetit që do të na bashkohet gjatë këtij viti.

Në ditët e sotme kur jo vetëm Shqipëria, pasi iu pëlqen disi edhe opozitarëve edhe mediave që ka një eksod të madh nga Shqipëria. Por kjo as nuk e ndihmon vendin tonë dhe as nuk është një e vërtetë. Do ishte një detyrë që do ta kishte secili prej jush. Që ky nuk është një eksod nga Shqipëria, është një lëvizje demografike post-pandemike që po i ndodh të gjithë Evropës dhe po i ndodh të gjithë botës. Ka një lëvizje edhe të mjekëve italianë që shkojnë drejt SHBA. Siç ka edhe një lëvizje të mjekëve bullgarë që shkojnë drejt Gjermanisë. Ka një lëvizje të lirë demografike për të cilën kemi luftuar vite të tëra që ta kishim dhe sot e quajmë eksod. Është një momentum që pa dyshim krijon vakuume të rëndësishme në shumë fusha. Duke krijuar kështu një vakuum intelektual si për Shqipërinë, si për Bullgarinë, si për Italinë, si për Francën, Gjermaninë etj. etj. Por është fat shumë i madh që kemi përmes këtij programi i cili pas 10 vitesh quhet i kolauduar, i konsoliduar, i suksesshëm, të kemi djem dhe vajza të reja që vendosin të qëndrojnë në vendin e tyre, vendosin që të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik të një vendi, i cili nuk mund ta mohojë askush që është në momentin e tij më të mirë.

Po të dilni dhe të bëni një research në treg do të shikoni që të gjithë do të flasin me pozitivitet duke thënë që 2023 ka qenë një vit i mirë ekonomik për të gjithë shqiptarët. Dhe të gjitha këto, pa dyshim në një momentum shumë të vështirë botëror. Kur konfliktet po shtohen dita ditës. Kur nuk jemi më të përqëndruar në atë që ndodhte midis Rusisë dhe Ukrainës. Një konflikt tjetër i shtuar. Por jo vetëm kaq, edhe një situatë e vështirë në shtetin fqinj dhe shtetin vëlla të shqiptarëve të Kosovës. Të gjitha këto duan sipas mendimit tim shtrëngim rradhësh. Duan një shpirt kombëtar i cili të kuptojë që ky vend nuk shkon përpara me tifozeri politike. Shkon përpara me angazhimin e secilit prej nesh, me përmbushjen e detyrave që kemi ndaj partnerëve tanë, që na kanë qëndruar në krah që në fillim të viteve 90′, kur nisëm këtë periudhë të gjatë tranzicioni, e cila nuk mund të vazhdojë pafund. Dhe për këtë biem dakord.

Besoj jo vetëm administrata publike por edhe bizneset kemi sot vetëm një lajtmotiv: Kemi shumë punë, po jemi pak njerëz. Kështuqë ne ju presim krahëhapur. Unë ju uroj suksese. Motivoheni veten dhe gjeni aryse për t’u zgjuar në mëngjes. Unë shpeshherë them që më ndodh diçka, nganjëherë darkave pas një dite të ngarkuar pas disa problemeve që ndoshta nuk kam arritur t’i zgjidh sepse mua më nis puna me një mbledhje për Portin e Durrësit dhe më mbaron me lejet minerare apo nuk e di, zbulimin në Shpirag. E kam shumë të diversifikuar portofolin. Jo çdo ditë është ditë pozitive. Ka disa netë kur ty të duket sikur asgjë nuk ka ecur dhe të duket se nuk arrin ta bësh këtë punë. Por e di kush është fati i madh? Fati i madh është që të keni një auto-motivim që nesër në mëngjes të çoheni herët dhe mezi të prisni të shkojë ora 7 dhe të dërgoni mesazhe tek të gjithë bashkëpunëtorët tuaj. Nganjëherë qesh me veten time dhe them se si ka mundësi që në 2 të natës re për të fjetur me idenë që kjo nuk bëhet dhe pas 5 orësh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është diçka që duhet t’i thoni vetes. Ky vend ka nevojë për ju. Ky vend ka nevojë për njerëz punëtorë, por pozitvë dhe optimistë. Nuk kemi nevojë për as negativitet dhe për as atë helmin që pikon dhe i bën vetëm keq shqiptarëve. Unë ju roj suksese dhe besoj që edhe ky grupi që do të dalë tani të na bashkohet do të jetë po aq i mirë, aq i suksesshëm sa ato që kemi pasur deri më sot në institucionet tona. Shumë faleminderit të gjithëve dhe veçanërisht zotit Granoff dhe të gjithë grupit tuaj për punën e shkëlqyer që bëni në të gjithë këtë program. Faleminderit!”