Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dërguar dokument Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me mosdekretimin e Blerim Isufajt, si kryeprokuror të shtetit.
Në dokumentin e Presidencës, theksohet se besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë lëkundet seriozisht kur ngriten mëdyshje lidhur me integritetin e procesit të zhvilluar në Këshillin Prokurorial të Kosovës për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.
“Këto mëdyshje janë ngritur si nga ana e organizatave joqeveritare, ashtu edhe nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në dokumentin e Presidencës.
Ky dokument vjen pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Blerim Isufaj, duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj.
Sipas KPK-së, deklaratat e Osmanit janë të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze.
Propozimi për dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të shtetit nga KPK është paraqitur më 8 prill 2022.