Lejuan ndërtimet pa leje para zgjedhjeve lokale, prokuroria kërkon arrestimin e 6 ish-inspektorëve

Policia e Sarandës ndaloi mbrëmjen e së hënës gjashtë ish-inspektorë të ndërtimit, pasi akuzohen nga prokuroria “për shpërdorim detyre”, lidhur me ndërtimet e paligjshme në zonën turistike të Ksamilit dhe Sarandës.

Katër ish-punonjës të Inspektoriatit Vendor të Bashkisë së Sarandës , ish-kryeinspektori Artur Musai dhe ish-inspektorët Vangjel Xhavara, Besian Koci, Erton Zekaj si dhe 2 punonjës të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, përgjegjës për rajonin e Sarandës, u ndaluan pas një kërkese të Prokurorisë së Sarandës.

Ata akuzohen nga prokuroria e Sarandës se “me mosveprimet e tyre kanë lejuar zhvillimin e ndërtimeve të paligjshme në zonën e Ksamilit, por edhe në juridiksionin territorial të Bashkisë Sarandë”.

Sipas prokurorisë së Sarandës “janë administruar prova të mjaftueshme në lidhje me mosveprimet e paligjshme të punonjësve pesë muajt e parë të vitit 2023, që përkon me periudhën para zgjedhjeve vendore që u mbajtën në Shqipëri ”.

Prokuroria e Sarandës tha se “përgjatë kësaj periudhe nga ana e personave nën hetim nuk është përcjellë asnjë kallëzim penal në prokurori, kur ndërkohë nga ana e Komisariatit të Policisë janë referuar 49 raste të ndërtimeve të paligjshme në zonën Ksamil-Sarandë”.

Sipas prokurorisë së Sarandës “në funksion të këtij procedimi janë sekuestruar 16 pasuri (objekte ndërtimi ) me destinacion banimi dhe biznese”.

Inspektoriatet e ndërtimit të disa qyteteve bregdetare kanë qenë kohët e fundit në shënjestër të prokurorive pasi nuk kanë vepruar ndaj ndërtimeve të paligjshme që shfaqen herë pas here në zonën bregdetare.